Prokuroria sekuestron pasuritë e trafikantit të drogës në Tiranë: Dy apartamente dhe një garazh
**Tiranë** – Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar dy apartamente dhe një garazh në pronësi të shtetasit A.A., i cili është dënuar me 10 vite burg për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Kjo masë vjen si rezultat i një procedimi pasuror, ku hetimet zbuluan se të ardhurat e deklaruara nga A.A. dhe familjarët e tij nuk justifikonin investimet e kryera në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
Sipas organit të akuzës, një ekspertizë kontabël evidentoi një mospërputhje të theksuar mes pasurive të zotëruara dhe burimeve të ligjshme financiare, duke krijuar dyshime të forta se këto asete janë përfituar nga veprimtaria kriminale.
Në njoftimin e Prokurorisë theksohet se është vendosur sekuestrimi i një apartamenti 1+1 me sipërfaqe 66.33 m² dhe verandë 44 m² në një kompleks banimi në rrugën “Xhanfize Keko”. Gjithashtu, është sekuestruar një apartament 2+1 me sipërfaqe 87.9 m² dhe një garazh 16 m² në një kompleks tjetër, aktualisht në ndërtim, në rrugën “Kahreman Ylli”.
