Ministri Basha inspekton rrugën Kijevë-Zahaq: Pengesa te Ura e Dollcit hiqet brenda një jave

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se punimet në rrugën Kijevë–Zahaq po vijojnë dhe se po punohet intensivisht për përshpejtimin e përfundimit të këtij projekti të rëndësishëm.

Basha theksoi se gjatë inspektimit në terren, ai ka diskutuar me inxhinierët dhe operatorin ekonomik mbi sfidat e hasura gjatë procesit të punës. Ai veçoi si pikë problematike dhe shkaktare të vonesave në trafik, devijimin e krijuar te Ura e Dollcit, pas shembjes së një pjese të rrugës.

Sipas ministrit, ky segment pritet të pastrohet brenda shtatë ditësh, duke mundësuar rikthimin e qarkullimit normal në rrugën ekzistuese.

“U kërkoj ndjesë qytetarëve për pengesat dhe vonesat në trafik, por dua t’ju siguroj se jemi vazhdimisht në terren dhe po bashkëpunojmë me të gjitha palët e përfshira. Kjo bëhet me qëllim që problemet të adresohen me kohë dhe kjo rrugë e rëndësishme të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar Basha.