Zejnulla Gashi merr zyrtarisht detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

**Prishtinë** – Zejnulla Gashi do të marrë sot zyrtarisht detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës do të bëhet me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes një njoftimi për media. Pranim-dorëzimi i detyrës është planifikuar të zhvillohet në objektin e kësaj Zyre, duke filluar nga ora 11:00.

Dekretimi i Gashit në këtë pozitë u bë të martën nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Gjatë procesit të përzgjedhjes, pas intervistimit të zhvilluar më 1 korrik 2026, Zejnulla Gashi ka marrë vlerësimin më të lartë, me 91.6 pikë. Pas tij u renditën kandidatët e tjerë: Atdhe Dema me 89.3 pikë, Naim Abazi me 89 pikë, Rafet Halimi me 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu me 86.3 pikë.