Armend Zemaj dhe Florian Dushi kanë dorëzuar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një Kuvendi të LDK-së, me qëllim shkarkimin e kryetarit aktual, Lumir Abdixhikut.
Zemaj dhe Dushi nuk specifikuan numrin e saktë të nënshkrimeve të mbledhura, por theksuan se ato janë në përputhje me normat statutare të partisë. Ata shprehën pritshmërinë për zhvillime të mëtejshme në përputhje të plotë me statutin e LDK-së.
Gjatë ditëve të fundit është diskutuar intensivisht mundësia e thirrjes së këtij Kuvendi, ku Lumir Abdixhiku do të vihet në votim para delegatëve të LDK-së. Disa muaj më parë, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Abdixhiku i kishte mbijetuar një mocioni besimi, të cilin e kishte iniciuar vetë, duke synuar konsolidimin e pozicionit të tij.
