Deklarata Shokuese e Ministres Serbe Ngjall Reagime: William Walker e Quan Kriminelë Lufte
Një deklaratë e ministres serbe Snezana Paunović, në të cilën ajo shprehet se do të kishte nisur “spastrimin etnik në Kosovë në vitin 1998” nëse do të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit, ka ngjallur reagime të ashpra.
Ish-diplomati amerikan William Walker, i cili në vitin 1999 dokumentoi Masakrën e Reçakut dhe dëshmoi pasojat e krimeve në Kosovë, e ka cilësuar këtë deklaratë si “tronditëse” dhe “fashiste”.
Në një prononcim për Gazetën Express, Walker theksoi se një deklaratë e tillë është ndër më ekstremet që ka dëgjuar ndër vite, duke shprehur habi dhe neveri. “Në të vërtetë, ku e ka thënë ajo këtë deklaratë? Mendoj se është ndoshta një prej deklaratave më fashiste që kam dëgjuar prej vitesh, jo thjesht një marrëzi,” deklaroi Walker.
Ai shtoi se një qëndrim i tillë ngre pikëpyetje serioze mbi qëndrimet dhe përgjegjësinë e autores. “Të thuash që Millosheviqi nuk e nisi gjenocidin më herët, thjesht nuk mund të besohet që dikush mund të shprehë një marrëzi të tillë. Nëse vërtet e ka thënë këtë deklaratë, mendoj se dikush duhet të vlerësojë racionalitetin dhe humanitetin e saj,” u shpreh Walker.
Walker theksoi se spastrimi etnik është një krim lufte dhe se një deklaratë që shpreh gatishmëri për kryerjen e një veprimi të tillë është jashtëzakonisht shqetësuese. “Spastrimi etnik është një krim lufte. Nëse ajo thotë se do të kryente një krim lufte madje përpara Millosheviqit, i cili ishte një prej kriminelëve më të mëdhenj të Evropës në atë kohë, atëherë çfarë mund të thuhet për të?” përfundoi Walker.
