Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka kërkuar nga udhëheqësit shtetërorë të shprehin qartë mbështetjen e tyre për projektet strategjike energjetike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas AKB-së, furnizimi me gaz amerikan është një mundësi thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë energjetike të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, AKB theksoi se Kosova duhet ta trajtojë me seriozitet maksimal mundësinë e furnizimit me gaz amerikan dhe të mos mbetet prapa zhvillimeve rajonale në sektorin e energjisë. Aleanca vuri në dukje se shumë vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë, po forcojnë bashkëpunimin strategjik me SHBA-në në këtë fushë, ndaj Kosova nuk duhet të jetë përjashtim.
AKB nënvizoi se furnizimi me gaz nuk duhet të kufizohet vetëm në zgjidhje afatshkurtra përmes transportit me cisterna, por të synohet ndërtimi i një infrastrukture kombëtare të gazit. Kjo infrastrukturë, e cila do të përfshinte terminalin dhe rrjetin e tubacioneve (gazsjellësve), duhet të lidhet me rrjetet rajonale dhe evropiane. Një investim i tillë do të garantonte furnizim më të qëndrueshëm, do të krijonte siguri për investime të reja, do të mbështeste industrinë vendore dhe do të rriste konkurrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës.
Sipas AKB-së, deklaratat e udhëheqësve shtetërorë duhet të jenë të qarta dhe pa dykuptimësi në mbështetje të investimeve strategjike amerikane në sektorin e energjisë. Aleanca shtoi se vendi ka nevojë urgjente për një strategji afatgjatë për gazin dhe për investime të domosdoshme në infrastrukturën përkatëse. Gazi amerikan përbën një mundësi të shkëlqyer për investime, zhvillim ekonomik dhe siguri energjetike. Prandaj, shteti duhet të dëshmojë qartë vullnetin për të ecur përpara me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
