Gjykata Themelore në Mitrovicë ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak për dy mjekët me inicialet V.R. dhe E.S., të cilët dyshohen për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
Vendimi u mor më 10 korrik 2026, pasi Prokuroria Themelore në Mitrovicë nuk parashtroi kërkesë për vazhdimin ose zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me ndonjë masë tjetër.
Sipas Gjykatës, ky vendim u bazua në detyrën zyrtare dhe në nenet 181, paragrafët 1 dhe 7, lidhur me nenin 188, paragrafi 1 të Kodit Nr. 08/L-032 të Procedurës Penale, duke iu ndërprerë masën e arrestit shtëpiak të pandehurve V.R. dhe E.S.
Gjykata ka theksuar se ndaj të dyshuarve vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore në Mitrovicë shpjegoi se nuk kërkoi vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak, me argumentin se “kanë pushuar kushtet ligjore” për një kërkesë të tillë. Sipas Prokurorisë, deri në këtë fazë të procedurës penale janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët e nevojshëm, si dhe të pandehurit, përfshirë personat e dyshuar për dhënie ryshfeti.
Megjithatë, Prokuroria bëri të ditur se aktakuza ende nuk është ngritur, pasi priten të ndërmerren disa veprime të tjera procedurale. V.R. po hetohet për gjashtë raste të dyshuara të marrjes së ryshfetit, ndërsa E.S. për tri raste.
Prokuroria sqaroi gjithashtu se mjeku E.S. kishte qenë më parë nën masën e arrestit shtëpiak, nga 10 janari deri më 9 shkurt 2023, në kuadër të një rasti tjetër penal. Për atë çështje, aktakuza ndaj tij për “Marrje ryshfeti” u ngrit më 30 korrik 2024 dhe aktualisht është në proces gjyqësor në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Dy mjekët, të cilët shërbenin në Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri, ishin arrestuar nga Policia e Kosovës më 13 maj 2026, nën dyshimin për të njëjtën vepër penale. Rasti vazhdon të jetë nën hetim nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
