Ekonomia botërore është marrë peng pas bllokimit të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit nga Irani. Si pasojë, çmimet e gazit dhe naftës janë rritur ndjeshëm, ndërsa rezervat globale po bien. Për të gjetur një zgjidhje, Londra organizoi një takim ndërkombëtar virtual.
Përfaqësues nga rreth 40 vende morën pjesë në këtë takim, thirrur nga Kryeministri britanik Keir Starmer, me qëllim diskutimin e masave diplomatike dhe politike për të rikthyer lirinë e lundrimit në rajon. Takimi vjen ndoshta edhe si reagim ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump drejtuar partnerëve: “Duhet të mësoni të mbroheni vetë”.
Mes pjesëmarrësve ishin delegatë nga Franca, Gjermania, Kanadaja, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përfaqësuara.
Ministrja e Brendshme britanike, Yvette Cooper, theksoi gjatë videokonferencës rëndësinë jetike të Ngushticës së Hormuzit për tregtinë botërore. Ajo bëri të ditur se në 24 orët e fundit, vetëm 25 anije kishin kaluar ngushticën, ndërkohë që normalisht kalojnë rreth 150 në ditë. Aktualisht, rreth 2.000 anije po presin për të kaluar. Sipas saj, Irani ka bllokuar një rrugë detare ndërkombëtare, duke marrë peng ekonominë botërore.
**Shqetësimi për ekonominë botërore**
Shqetësimi po thellohet në Britaninë e Madhe dhe në shumë vende të tjera, se bllokada e Ngushticës së Hormuzit mund të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike. Rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm që tregtohen globalisht, kalojnë zakonisht përmes kësaj rruge strategjike.
Një nga çështjet e diskutuara ishte nëse cisternat e naftës duhet të shoqërohen nga anije ushtarake për arsye sigurie.
**Macron kundër përdorimit të forcës**
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e cilësoi përdorimin e forcës si jorealist. Sipas tij, rihapja e ngushticës mund të arrihet vetëm përmes koordinimit me Iranin dhe negociatave, pas një armëpushimi të mundshëm.
Ndërkohë, Italia propozoi krijimin e një “korridori humanitar” për lëndë thelbësore dhe mallra të tjera me rëndësi jetike, për të parandaluar një krizë ushqimore, veçanërisht në vendet afrikane, siç deklaroi ministri i Jashtëm Antonio Tajani. Ky raport u bazua në të dhëna nga DW.
