Sarandë | Oficer policie dhunohet fizikisht, vijojnë kontrollet për autorët.
Një oficer i Policisë së Sarandës u dhunua fizikisht mbrëmjen e së enjtes nga disa persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ndodhi në lagjen numër 3 të qytetit.
Sipas burimeve të Top Channel, viktima është Mihal Velço, me detyrë oficer krimesh pranë Komisariatit të Policisë Sarandë.
Velço po udhëtonte me motorin e tij kur u ndalua, u fye dhe më pas u kanos nga një grup personash. Pas kësaj, ai zbriti nga motori dhe u përfshi në një konflikt fizik me ta.
Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta. Megjithatë, të dhënat paraprake sugjerojnë se bëhet fjalë për një konflikt të çastit dhe jo për një sulm të mirëorganizuar ndaj oficerit.
Policia ka nisur kontrolle intensive në banesa dhe lokale të ndryshme në zonë me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj dhune.
