Shërbimet e Policisë Kufitare të Shqipërisë kanë shpëtuar 11 emigrantë në ujërat e detit Adriatik, pranë grykëderdhjes së lumit Vjosë. Operacioni i shpëtimit u zhvillua në orët e para të mëngjesit të së premtes, pasi një mjet lundrues i vogël me 11 persona në bord u sinjalizua në rrezik rreth 8 milje detare larg grykëderdhjes së Vjosës.

Menjëherë pas sinjalizimit, Policia Kufitare u drejtua me dy gomone drejt zonës së shënjestruar, duke arritur të lokalizojë mjetin dhe të shpëtojë të gjithë emigrantët që ndodheshin në të.

Sipas të dhënave paraprake, emigrantët janë shtetas nga Haiti, Afganistani, Liberia, Pakistani dhe Bangladeshi. Ata janë transportuar në tokë dhe ndodhen aktualisht në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, ku po kryhen procedurat përkatëse ligjore.

Autoritetet nuk kanë identifikuar ende destinacionin e tyre, apo nëse ata po tentonin të kalonin ilegalisht drejt Italisë. Këto rrethana pritet të sqarohen pas marrjes së tyre në pyetje dhe vijimit të hetimeve nga strukturat kompetente.