Mbledhja e Komisionit për Ekonomi, ku pritej raportimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja, ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit. Kështu raporton Ekonomia Online.
Në mbledhje munguan përfaqësues të ZRrE-së dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Janina Ymeri, zëvendëskryetarja e komisionit, e quajti këtë një “orkestrim” të deputetëve të pushtetit për të penguar raportimin e ZRrE-së në Kuvend.
Ymeri detajoi arsyet e thirrjes së ZRrE-së në mbledhje: “Ne e kemi thirrur Këshillin e ZRrE-së në mbledhje jo vetëm për shkak të tarifave, por sepse ZRrE-ja nuk ka pasur plan për vitin 2024, nuk ka raport për vitin 2023 dhe nuk na njofton për tarifat në veri. Nuk ka më pengesa në tregun e veriut, gjë që demanton edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, ka raportime të konfirmuara ndërkombëtarisht për rregullatorin e rremë, që ka të bëjë edhe me emërtimin tjetër me ‘Elektroprivreda e Serbisë’. Pra, kjo nuk është veç çështje financiare, është edhe çështje sigurie, për të cilën ZRrE-ja duhet të përgjigjet dhe të tregojë se sa dhe si po punon në këtë pikë.”
Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, e quajti shqetësuese mungesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Është shqetësuese se si mazhoranca, edhe pas kërkesës së deputetëve për një takim, një raport, një bashkëbisedim dhe një raportim me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, nuk merr pjesë. Ky sektor kyç po ballafaqohet me vështirësi të jashtëzakonshme për shkak të presionit politik. Ne kemi një varg pyetjesh, për të cilat institucionet e vendit, parlamenti dhe qytetarët duhet të kenë përgjigje: çfarë po ndodh me afatin ligjor të 1 prillit, kur do të duhej të fillonte rishikimi tarifor? Ky afat ligjor po shkelet. Nuk kemi përgjigje për procesin e shtyrjes së afatit të liberalizimit të daljes së një pjese të konsumatorëve në tregun e lirë. Nuk kemi përgjigje se si është e mundur që shtyrja e daljes në tregun e lirë të konsumatorëve të koincidojë me procesin tarifor. Nëse është kështu dhe janë të varura, duhet të na shpjegojnë institucionalisht pse po ndodh kjo. Ne sot nuk kemi raport për procesin hetimor të nisur për importet e energjisë, proces të cilin e patën përshëndetur apo deklaruar publikisht kryeministri, ministrja, por edhe ZRrE-ja. Sot qytetarët e vendit dhe institucionet nuk kanë asnjë informacion deri ku ka shkuar çështja e hetimit nga Zyra e Rregullatorit dhe a ka filluar vërtet procesi hetimor,” tha Shala.
