Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka njoftuar se është takuar në Uashington me homologun e tij serb, Marko Gjuriq.
Nëpërmjet një postimi në platformën X, Hoxha bëri të ditur se gjatë bisedës, i ka përmendur Gjuriqit edhe deklaratën e fundit të një ministreje serbe për spastrim etnik të Kosovës.
“Rikonfirmova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë lidhur me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë. Theksova nevojën për të refuzuar pa asnjë mëdyshje retorikën që nxit tensione, cenon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe me vlerat Evropiane,” shkroi Hoxha.
Ai theksoi se diplomacia pikërisht këtë përfaqëson: “zhvillimin e një dialogu të hapur, ballafaqimin sy më sy, përballjen me realitetin dhe trajtimin me përgjegjësi të dallimeve.”
Kujtojmë se pak ditë më parë, ministrja e qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, deklaroi se po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
