Kosova dhe Shqipëria ishin mes 66 vendeve që morën pjesë në një konferencë ndërkombëtare të organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e fokusuar në luftën kundër asaj që administrata e Presidentit Donald Trump e cilësonte si “ringjalljen e terrorizmit politik”. Ky takim synonte të adresonte kërcënimin e terrorizmit të ekstremit të majtë.

Takimin e drejtoi Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili u bëri thirrje shteteve pjesëmarrëse të forconin bashkëpunimin për t’i bërë ballë kërcënimit që, sipas tij, paraqesin grupet terroriste të ekstremit të majtë.

“Kjo është një konferencë ndërkombëtare, sepse po përballemi me një kërcënim ndërkombëtar, një kërcënim ndërkufitar. Nuk kemi zgjidhje tjetër veçse t’i bëjmë ballë së bashku. Ose do të bashkëpunojmë përtej kufijve tanë, ose terroristët do të vazhdojnë të shfrytëzojnë boshllëqet mes tyre,” deklaroi Rubio në fjalën e tij hapëse.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, konferenca synonte të siguronte mbështetje ndërkombëtare për luftën kundër atij që u përshkrua si “kërcënimi në ringritje” i terrorizmit të ekstremit të majtë.

Mes vendeve pjesëmarrëse ishin Shqipëria, Kosova, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Australia, Izraeli dhe dhjetëra shtete të tjera nga Evropa, Azia dhe Amerika.

Gjatë konferencës, Rubio argumentoi se dhuna ekstremiste e majtë ishte nënvlerësuar prej vitesh në politikat kundër terrorizmit.

“Për një kohë shumë të gjatë, doktrina jonë kundër terrorizmit ka pasur një pikë të verbër kur bëhet fjalë për dhunën ekstremiste të majtë politike,” theksoi ai.

Sekretari Amerikan i Shtetit shtoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të rindërtojë mekanizmat e bashkëpunimit kundër terrorizmit, njëlloj siç bëri në fillim të shekullit XXI përballë ekstremizmit islamik.

Edhe zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, e cilësoi ekstremizmin e majtë si një kërcënim në rritje ndaj institucioneve demokratike, ndërsa Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, foli për forma të ndryshme të këtij fenomeni, duke përmendur fushatat e frikësimit politik, sabotimin e institucioneve dhe aktet e dhunës.

Në një deklaratë të publikuar pas konferencës, Shtëpia e Bardhë tha se administrata Trump kishte nisur “një ofensivë globale pa precedentë kundër kërcënimit ndërkombëtar të terrorizmit radikal të majtë”, duke shtuar se ky fenomen do të trajtohet me të njëjtin seriozitet si terrorizmi xhihadist.