Zjarrvënie në Prishtinë: Vetura e një qytetareje digjet në Mati 1, kërkohet hetim dhe përgjegjësi

Një qytetare, me inicialet A.Gj., ka bërë të ditur se vetura e saj është përfshirë nga flakët mëngjesin e 15 korrikut 2026, rreth orës 07:30. Ngjarja ka ndodhur në garazhin e një objekti banesor në lagjen Mati 1 të Prishtinës.

Për IndeksOnline, qytetarja ka deklaruar se motivet e rastit mbeten ende të paqarta. Ajo pretendon se i njëjti person kishte tentuar, rreth një javë më parë, t’i vinte flakën ashensorit në të njëjtin objekt banesor.

A.Gj. shton se banorët e lagjes, përfshirë edhe fëmijët, janë ndjerë të rrezikuar, pasi i dyshuari, sipas saj, ishte parë duke qarkulluar me thikë në zonë.

A.Gj. shpreh shqetësimin e thellë se institucionet reagojnë shpesh vetëm pas shfaqjes së pasojave më të rënda.

“Qytetarët nuk duhet të jetojnë me frikën se duhet të bëhen viktima që të merren masa. Parandalimi duhet të jetë prioritet, jo reagimi pasi dëmi është bërë”, thekson ajo.

Ajo shton se pas tentativës për djegien e ashensorit, ishte deklaruar se personi i dyshuar nuk ishte lokalizuar dot. Megjithatë, pas incidentit të djegies së veturës, ajo pretendon se autori është identifikuar menjëherë.

Qytetarja kërkon një hetim të plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësisë, jo vetëm për autorin e mundshëm të këtij akti, por edhe për çdo mosveprim institucional që mund të ketë ndikuar në përshkallëzimin e situatës.