Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka reaguar pas plagosjes së një dite më parë në poliklinikën në Shkodër, duke shprehur shqetësimin se dhuna në ambiente publike cenon jo vetëm viktimën, por edhe ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin tek institucionet.

KMD bën thirrje që ngjarja të trajtohet me seriozitet të plotë nga organet kompetente, ndërsa thekson se dhuna nuk është zgjidhje.

Reagimi i KMD:

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh shqetësim të thellë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në ambientet e Poliklinikës së Shkodrës, ku një person mbeti i plagosur si pasojë e një akti të rëndë dhune.

Komisioneri dënon me forcë çdo formë dhune dhe thekson se siguria, jeta dhe dinjiteti i çdo individi janë vlera themelore që duhet të mbrohen në çdo rrethanë. Ushtrimi i dhunës në ambiente publike cenon jo vetëm viktimën, por edhe ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin tek institucionet.

Komisioneri vlerëson se çdo akt dhune duhet të trajtohet me seriozitet të plotë nga organet kompetente, nëpërmjet një hetimi të shpejtë, të plotë dhe të paanshëm, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe vendosjen përpara përgjegjësisë të autorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Njëkohësisht, Komisioneri u bën thirrje qytetarëve, institucioneve dhe komunitetit të promovojnë dialogun, respektin reciprok dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve, duke refuzuar çdo formë dhune dhe sjelljeje që cenon dinjitetin njerëzor. Dhuna nuk është zgjidhje. Ndërtimi i një shoqërie të sigurt, gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në respektin për dinjitetin e njeriut është përgjegjësi e përbashkët.

Ngjarja:

Sipas Policisë, rreth orës 11:30, gjatë një konflikti për motive të dobëta,  Arvin Fregjaj dyshohet se ka plagosur me thikë Vildan Kepëcën, 32 vjeç. I plagosuri u transportua menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë ndërhyrjes, Policia bën të ditur se mori informacion se vëllai i të plagosurit, Arben Kepëca, 41 vjeç, kishte marrë një armë zjarri pistoletë me fishek në fole dhe ishte nisur në këmbë për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes.

Policia raportin se bëri të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të 41-vjeçarit, Arben Kepëca. Gjatë ndërhyrjes, ai tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me municion luftarak.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e Arvin Fregjajt, i dyshuar si autor i plagosjes me thikë.

Reagimi i policisë:

Shkodër / Parandalohet përshkallëzimi i një konflikti me pasoja të rënda.

Sigurimi i informacionit në kohë dhe reagimi i menjëhershëm e profesional i shërbimeve të Policisë parandaluan një ngjarje të rëndë kriminale.

Pasi mori dijeni për plagosjen me thikë të vëllait të tij, 41-vjeçari mori një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe u nis për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, 41-vjeçari tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit, por u kap dhe u vu në pranga.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë, me municion luftarak.

Rreth orës 11:30, në ambientet e brendshme të poliklinikës, në lagjen “Vasil Shanto”, dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. F., 18 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin V. K., 32 vjeç, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendngjarjes. Gjatë rrugës, ato kanë marrë informacion se vëllai i të plagosurit, shtetasi A. K., 41 vjeç, pasi kishte marrë dijeni për ngjarjen, kishte marrë një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, dhe ishte nisur në këmbë për të vrarë autorin e dyshuar të plagosjes së vëllait të tij.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke marrë masat e nevojshme të sigurisë, dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. K., 41 vjeç, i cili gjatë ndërhyrjes tentoi të largohej dhe hodhi armën e zjarrit që mbante me vete.

Shërbimet e Policisë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit A. F.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.