Kina mohon fuqishëm akuzat e ish-presidentit amerikan Donald Trump se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2020.
Lin Jian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, deklaroi të premten në Pekin se këto pretendime të Uashingtonit janë “plotësisht të fabrikuara” dhe synojnë “njollosjen e imazhit të Kinës”.
Ai shtoi: “Ne nuk kemi asnjë interes të ndërhyjmë në zgjedhjet amerikane dhe nuk e kemi bërë kurrë një gjë të tillë”.
Kur u pyet nëse deklaratat e Trumpit mund të ndikojnë në vizitën e paralajmëruar të Presidentit kinez Xi Jinping në SHBA gjatë shtatorit, Lin theksoi se Pekini i kërkon Uashingtonit të ndalojë përdorimin e Kinës si temë në politikën e brendshme zgjedhore dhe të marrë hapa për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Këto deklarata të Kinës vijnë pasi Trump, gjatë një fjalimi televiziv drejtuar kombit të enjten, përsëriti pretendimet e tij për mashtrime zgjedhore dhe ndërhyrje të huaja në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ai vazhdon t’i shfrytëzojë këto pretendime për të kundërshtuar humbjen e tij në atë garë.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të udhëtojë javën e ardhshme në Filipine për t’u takuar me homologët e tij nga vendet e Azisë Juglindore.
Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, vizita synon të avancojë prioritetin e SHBA-së për një rajon Indo-Paqësor “të lirë dhe të hapur”, duke garantuar siguri dhe prosperitet.
Departamenti nuk dha detaje mbi agjendën specifike të zotit Rubio. Megjithatë, vitin e kaluar ai pati takuar ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, në margjinat e samitit të ASEAN-it. Gjithashtu, dy diplomatët zhvilluan së fundmi një bisedë telefonike pas vizitës së Trumpit në Kinë pranverën e kaluar.
