Turqia: Tërmet me magnitudë 5.0 godet provincën e Malatyas
Një tërmet me magnitudë 5.0 ka goditur provincën lindore të Turqisë, Malatya, në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD), lëkundjet nuk kanë shkaktuar dëme materiale apo viktima.
AFAD njoftoi se tërmeti ndodhi në orën 06:20 me orën lokale (03:20 GMT). Epiqendra e tij ishte në distriktin Battalgazi, me një thellësi prej rreth 15.6 kilometrash.
Lëkundjet sizmike u ndjenë edhe në disa provinca fqinje, përfshirë Elazig, Adiyaman, Tunceli dhe Sanliurfa.
Ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, deklaroi në rrjetet sociale se “pas tërmetit në Battalgazi, deri më tani nuk janë konstatuar probleme apo dëme të mëdha. Megjithatë, ne po i vlerësojmë me kujdes të gjitha raportimet që vijnë.”
