SHBA mbledh aleatët kundër ekstremizmit të majtë, ministri Ferit Hoxha mes pjesëmarrësve

Shqipëria, përmes ministrit të Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në një takim të iniciuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, lidhur me shqetësimin për ekstremizmin e majtë. Udhëheqës nga më shumë se 60 vende u mblodhën në këtë përpjekje të fundit të administratës Trump për të frenuar atë që ajo e cilëson “terrorizëm politik të së majtës”. Kjo çështje është thelbësore për republikanët, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, raporton Top Channel.

Ky takim vjen pas dërgimit të një kabllogrami në 20 ambasada amerikane, përfshirë atë në Tiranë, në të cilin kërkohej informacion mbi grupet e ekstremit të majtë në këto vende.

Sipas Associated Press, këto pohime të gjëra nga sekretari Rubio dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, lidhur me “rritjen alarmante” të dhunës politike nga e majta, paraqesin një tablo të zymtë të së ardhmes nëse “komunistët dhe marksistët” nuk mposhten.

Sekretari Rubio iu bëri thirrje zyrtarëve të pranishëm – kryesisht nga vendet evropiane dhe ato të Amerikës Latine – të bashkërendojnë forcat për të trajtuar këtë çështje, të cilën ai e cilësoi si një “pikë të verbër” në doktrinën kundër terrorizmit.

“Shumë njerëz në pozita drejtuese kanë nënvlerësuar vazhdimisht aktet e dhunës, madje edhe terrorizmin, duke i konsideruar si forma legjitime të shprehjes politike, përderisa i shërbenin një kauze të majtë. Një bombë e vendosur nga një grup neo-nazist është një akt i ligë dhe vrasës i së keqes. Dhe ashtu është. Po një bombë e vendosur nga një revolucionar marksist? Epo, ajo konsiderohet thjesht një teprim tragjik i idealizmit”, shprehet Rubio.

Një raport i publikuar vitin e kaluar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) zbuloi se, deri më 4 korrik 2025, sulmet terroriste të lidhura me të majtën kishin tejkaluar, për herë të parë në më shumë se 30 vjet, ato të ekstremit të djathtë. Deri në fillim të korrikut 2025, numri i incidenteve të ekstremit të djathtë kishte rënë ndjeshëm, me vetëm një incident, ndërsa nga e majta ishin regjistruar pesë incidente.