Tetë persona janë vrarë dhe 62 të tjerë janë plagosur pas sulmeve me dronë ukrainas ndaj dy depove të kompanisë më të madhe ruse të shitjeve online, Wildberries, sipas autoriteteve ruse.
Shtatë viktima dhe 25 të plagosur u raportuan në një depo në qytetin Tambov, rreth 475 kilometra në juglindje të Moskës. Një person tjetër humbi jetën dhe 37 u plagosën në një tjetër depo të kompanisë në Elektrostal, në rajonin e Moskës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmet kishin goditur “objekte të mëdha logjistike” që, sipas tij, përdoreshin për furnizimin me komponentë të sanksionuar për prodhimin e dronëve dhe pajisje navigimi.
Zelensky deklaroi gjithashtu se Ukraina kishte goditur objektiva në Detin Azov, Detin e Zi dhe në Krimenë e aneksuar nga Rusia, duke i paraqitur këto operacione si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ruse mbi infrastrukturën civile dhe qytetet ukrainase, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv.
Pamje të paverifikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë flakë të mëdha dhe re të dendura tymi mbi një objekt të madh logjistik, ndërsa punëtorë shihen duke u larguar në panik nga ndërtesat.
Wildberries, e përshkruar shpesh si “Amazon-i rus”, është një nga kompanitë më të mëdha të tregtisë online në Rusi. Sipas analistëve ukrainas, depot e saj kanë pasur rol të rëndësishëm në logjistikën ruse dhe janë përdorur për furnizimin me pajisje me përdorim të dyfishtë, përfshirë komponentë elektronikë dhe pjesë për dronë.
Rusia ka goditur më parë objekte të ngjashme në Ukrainë, përfshirë shërbime postare dhe kompani të shpërndarjes së pajisjeve elektronike.
Guvernatori i rajonit Tambov, Evgeniy Pervyshov, tha se gjatë sulmit ishin rrëzuar 28 dronë dhe se shumica e të plagosurve kishin pësuar lëndime nga copëzat e shpërthimeve.
Drejtoresha ekzekutive e Wildberries, Tatyana Kim, e cilësoi ngjarjen si një “natë të tmerrshme” për kompaninë dhe Rusinë.
