**Çështja e Presidentit: Vitia thekson se po bëhen përpjekje maksimale për të shmangur zgjedhjet**
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se nuk ka asgjë për të shtuar përtej deklaratave të kryeministrit Kurti dhe zyrtarëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas Vitisë, zgjedhjet e parakohshme nuk do të ndryshonin thelbësisht rezultatin politik dhe për këtë arsye nuk ka nevojë për një proces të tillë të panevojshëm.
“Nuk kam asgjë për të shtuar, përveç asaj që është diskutuar në media dhe nga kryeministri Kurti. Po bëhen përpjekje maksimale për të shmangur zgjedhjet. Këto përpjekje do të vazhdojnë deri në ditën e fundit, me takime dhe propozime, sepse ne besojmë se zgjedhjet nuk sjellin një rezultat thelbësisht ndryshe dhe në këtë drejtim, ato përbëjnë një humbje kohe dhe resursesh në krahasim me të mirat që mund t’u vijnë qytetarëve. Është një situatë që nuk do ta ndryshonte ndjeshëm rezultatin, prandaj nuk ka arsye përse të shkohet në këtë proces të panevojshëm”, ka deklaruar Vitia.
