Avokatët shprehin shqetësime për mungesë të qendrave të paraburgimit, SHKK mohon
Avokatët kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me mungesën e qendrave të paraburgimit në disa komuna të Kosovës, duke vënë në pikëpyetje kapacitetet aktuale të sistemit korrektues. Megjithatë, Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) i mohon këto pretendime, duke deklaruar se institucionet ekzistuese janë të mjaftueshme për nevojat aktuale.
Aktualisht, Kosova ka qendra paraburgimi në Prishtinë, Pejë dhe Prizren. Qendra e Gjilanit, e cila më parë ishte funksionale, u mbyll si pasojë e marrëveshjes me Danimarkën për sistemimin e të burgosurve danezë. Avokatët argumentojnë se këto qendra nuk janë të mjaftueshme dhe theksojnë nevojën për hapjen e të tjerave edhe në komuna të mëdha.
Avokati Meshar Selimaj ka theksuar se “Gjakova është privuar padrejtësisht nga e drejta për të pasur një qendër paraburgimi, njësoj si qendrat e tjera në nivel të Kosovës.”
Driton Muharremi, një tjetër avokat, vë në dukje se qendrat funksionale janë vazhdimisht të mbipopulluara, gjë që shkakton probleme të shpeshta. Ai ka përmendur raste kur personat e ndaluar nuk kanë pasur ku të qëndronin. “Kemi pasur raste kur dhjetëra të ndaluar janë detyruar të gjejnë zgjidhje alternative, pasi nuk kishin ku të sistemoheshin pas vendimit të gjyqtarit për vazhdimin e masës së ndalimit. Kështu ndodhi me rastin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) në Prizren, ku brenda natës u arrit një marrëveshje me SHKK-në për përdorimin e një pavijoni në qendrën e paraburgimit në Lipjan,” ka deklaruar Muharremi për Dukagjinin.
Avokati Ardian Bajraktari paralajmëron se nëse marrëveshje të ngjashme me atë me Danimarkën do të arrihen edhe me shtete të tjera, kjo mund të krijojë probleme serioze në Kosovë. “Marrëveshjen me danezët e kam vlerësuar edhe më parë se nuk duhet të procedohet me asnjë shtet tjetër, sepse, edhe pse ka pasur kërkesa, një gjë e tillë nuk duhet të shndërrohet në një praktikë të përhapur, pasi mund të vështirësojë trajtimin e personave të ndaluar në përputhje me standardet,” ka theksuar Bajraktari.
Nga ana tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka dhënë shifra specifike për numrin aktual të personave nën masën e paraburgimit, por ka deklaruar se numri i tyre është i mjaftueshëm për nevojat aktuale të sistemit korrektues. SHKK sqaron se në komunat ku nuk ka qendra të tilla, numri i banorëve nuk është faktori përcaktues për ndërtimin e një institucioni korrektues.
SHKK liston institucionet aktuale në funksion si më poshtë:
* Qendra Korrektuese Dubravë në Istog
* Qendra Korrektuese Smrekonicë në Vushtrri
* Qendra Korrektuese për të Mitur në Lipjan
* Qendra Edukuese Korrektuese për të Mitur në Lipjan
* Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan
* Qendra e Paraburgimit në Prishtinë
* Qendra e Paraburgimit në Pejë
* Qendra e Paraburgimit në Gjilan
* Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë
* Qendra e Paraburgimit në Prizren
* Burgu i Sigurisë së Lartë në Podujevë
Problematika e mungesës së vendeve për sistemim ka dalë në pah edhe në aksione të mëdha, siç ishte rasti me Byronë Kosovare të Sigurimeve apo për vjedhjen e votave, ku të ndaluarit nuk kishin vend ku të qëndronin derisa prisnin vendimet e gjykatës.
