Shtyhet seanca fillestare për barrikadat në veri të Kosovës
Seanca fillestare kundër gjashtë personave të akuzuar për ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës, në dhjetor të vitit 2022, ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Arsyeja ishte mungesa e njërit prej të akuzuarve dhe e avokatit të tij mbrojtës. Ky zhvillim raportohet nga Ekonomia Online.
Gjyqtari i çështjes, Rrahman Beqiri, njoftoi se i akuzuari Dushan Maksimoviq mungonte, pasi nuk ishte sjellë nga njësia e transportit. Kjo pasi gjykata ishte informuar paraprakisht për mungesën e avokatit të tij, Mahmut Halimi.
“Mungon i pandehuri Dushan Maksimoviq. Duke qenë se gjykata ka qenë e njoftuar që në mëngjes se avokati Mahmut Halimi nuk do të jetë prezent, për arsyet që do t’i themi, atëherë gjykata ka njoftuar njësinë e transportit që të mos sillet, me qëllim të ekonomizimit të procedurës”, tha gjyqtari Beqiri.
Halimi, përmes një shkrese, njoftoi gjykatën se nuk do të ishte i pranishëm, duke theksuar se në të njëjtën kohë kishte një seancë tjetër të caktuar në Mitrovicë, një rast me masë paraburgimi i caktuar prej kohësh.
Gjyqtari Beqiri theksoi gjithashtu mungesën e të akuzuarit Nemanja Joloviq. Për këtë të fundit, ftesa ishte kthyer e padorëzuar, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, sipas fqinjëve, ai është shpërngulur në Serbi.
“Mungon edhe i pandehuri Nemanja Joloviq. Të njëjtit gjykata i ka dërguar ftesë të rregullt, zarfi i mbyllur është kthyer në gjykatë me konstatimin se ky person është shpërngulur. Duke qenë se e ka ndërruar adresën, gjykata për të njëjtin ka lëshuar urdhëresë për ta sjellë me detyrim, ku Policia e Kosovës me datë 16.07.2026 e ka njoftuar gjykatën se kanë shkuar ta ekzekutojnë urdhëresën, mirëpo banesa është e mbyllur, ndërsa nga kontakti me fqinjët policia është njoftuar se ky person është shpërngulur për Serbi”, shpjegoi Beqiri.
Duke qenë se avokati i mëparshëm i Joloviqit kishte revokuar autorizimin, gjykata kishte caktuar një mbrojtëse të re, Donjeta Lekën, sipas rekomandimit të Odës së Avokatëve, e cila ishte e pranishme në seancë.
Prokurori i rastit, Admir Shala, sugjeroi veçimin e procedurës ndaj Nemanja Joloviqit, me qëllim që procesi të vazhdojë për të akuzuarit e tjerë. “Duke pasur parasysh se i njëjti nuk i është përgjigjur as ftesës së Prokurorisë, ndoshta për ekonomizimin e procedurës duhet të veçohet procedura ndaj tij, në mënyrë që të vijojë procesi me të tjerët”, tha ai.
Megjithatë, gjyqtari Beqiri konstatoi se, për shkak të mungesës së avokatit Mahmut Halimi, nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e seancës. Prandaj, me aktvendim, seanca u shty.
Në këtë rast akuzohen Dushan Maksimoviq, Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Drobaq, Srdjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq. Vlen të theksohet se Dushan Maksimoviq, një nga të akuzuarit në këtë rast, është dënuar edhe për sulmin terrorist në Banjskë.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë të akuzuarve, të cilët dyshohen për ngritjen e barrikadave në komunat veriore të Kosovës nga data 10 deri më 29 dhjetor 2022. Sipas aktakuzës, ata, “duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna”.
Prokuroria thekson se të akuzuarit bllokuan rrugët kryesore me mjete të rënda, duke përfshirë kamionë me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.
Këta persona akuzohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Ngjarjet lidhen me tensionet e dhjetorit 2022 në veri, të cilat filluan me sulmin ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut më 6 dhjetor, dhe me arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, më 9 dhjetor në pikën kufitare në Jarinjë. Pas arrestimit të Pantiqit, serbët lokalë ngritën barrikada në veri, të cilat u hoqën më 29 dhjetor, pasi masa e sigurisë ndaj tij u ndryshua nga paraburgim në arrest shtëpiak.
Për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së, tre persona, përfshirë ish-policin e Kosovës Dejan Pantiq, janë dënuar me gjithsej 12 vjet burgim në vitin 2025.
