Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj rrezikon të mbetet pa funksionuar nga 1 janari i vitit 2027, pasi në Qarkoren Buxhetore për vitin 2027 dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029, të proceduar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Ministrinë e Financave, institucioni nuk figuron fare në planifikimin buxhetor.
Dokumentet dhe korrespondenca zyrtare, të cilat i ka siguruar Indeksonline, tregojnë se Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj nuk i është planifikuar asnjë euro në asnjërën prej kategorive buxhetore për vitin 2027.
Në një letër të brendshme drejtuar stafit akademik dhe administrativ, rektori i universitetit, Prof. Dr. Agron Bajraktari, e cilëson situatën si zhvillimin më serioz me të cilin është përballur institucioni që nga themelimi.
Sipas tij, nëse planifikimi aktual nuk ndryshohet gjatë procedurave të miratimit të buxhetit, universiteti nuk do të ketë mundësi financiare të vazhdojë funksionimin nga fillimi i vitit të ardhshëm.
“Kjo do të thotë se universitetit tonë i është planifikuar buxhet zero në të gjitha kategoritë buxhetore. Nëse një planifikim i tillë do të mbetej në fuqi, nga 1 janari 2027 universiteti nuk do të kishte mundësi financiare për të vazhduar funksionimin”, thuhet në letrën që posedon Indeksonline.
Një skenar i tillë, sipas drejtuesve të universitetit, do të nënkuptonte ndërprerjen e marrëdhënieve të punës për të gjithë stafin akademik dhe administrativ, si dhe pezullimin e studimeve për mbi 2 mijë studentë që aktualisht ndjekin studimet në këtë institucion.
Rektori rikujton se Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj është universiteti i vetëm publik i shkencave të aplikuara në Kosovë dhe se gjatë 11 viteve të funksionimit ka ndërtuar modelin e tij mbi bashkëpunimin me industrinë dhe universitetet evropiane.
Në letrën drejtuar stafit ai numëron edhe rezultatet që, sipas tij, e kanë veçuar universitetin ndër vite: akreditimin institucional pesëvjeçar, akreditimin e të gjitha programeve të studimit, anëtarësimin në rrjete prestigjioze akademike evropiane si EURASHE dhe Aleanca Evropiane e Universiteteve E³UDRES², si dhe realizimin e projekteve ndërkombëtare.
Bajraktari thekson gjithashtu se universiteti ka funksionuar me vetëm rreth 58 të punësuar, ndërsa ngarkesa mësimore e stafit ka qenë ndër më të lartat në sistemin universitar publik të Kosovës.
Sipas tij, gjatë gjithë periudhës së funksionimit universiteti ka kaluar auditime të jashtme dhe të brendshme, si dhe inspektime nga Ministria e Arsimit, pa u evidentuar shkelje apo vërejtje ndaj institucionit.
Letër ministrit Çeku: “Rishqyrtoni planifikimin buxhetor”
Përveç njoftimit drejtuar stafit, Indeksonline ka siguruar edhe letrën që rektori Agron Bajraktari ia ka dërguar ministrit të Arsimit, Hajrulla Çeku.
Në këtë shkresë zyrtare ai kërkon rishqyrtimin e menjëhershëm të planifikimit buxhetor, duke argumentuar se procesi është ende në fazën e shqyrtimit dhe mund të korrigjohet para miratimit përfundimtar të Ligjit për Buxhetin.
Rektori kërkon që Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj të përfshihet në planifikimin buxhetor për vitin 2027 dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027-2029, duke paralajmëruar se mospërfshirja do të vinte në rrezik jo vetëm funksionimin e universitetit, por edhe të ardhmen akademike të mijëra studentëve.
Në fund të letrës, ai shpreh gatishmërinë për takim institucional me Ministrinë e Arsimit dhe ofrimin e çdo dokumentacioni shtesë që do të ndihmonte në rishqyrtimin e vendimit.
Ndërkohë, pavarësisht shqetësimit të ngritur, Bajraktari u bën thirrje stafit për qetësi, duke shprehur bindjen se institucionet e Kosovës do ta rishikojnë këtë çështje dhe nuk do të lejojnë, siç shprehet ai, mbylljen e universitetit të vetëm publik të shkencave të aplikuara në vend.
Indeksonline ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për të marrë një qëndrim zyrtar lidhur me dokumentet dhe pretendimet e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Përgjigjja e ministrisë do të publikohet sapo të pranohet.
