Përfundon pengmarrja me fatalitet në Gjermani, arrestohet autori
Kriza e pengjeve në një bankë në Regensburg të Gjermanisë ka përfunduar. Pas një operacioni të gjerë policor në perëndim të qytetit, policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një 20-vjeçar gjerman.
Forca të shumta policore, përfshirë njësi speciale rëndë të armatosura, ndërhynë në zonën e Stromerstraße, pranë qendrës së hipodromit, ku banka ishte rrethuar. Në vendngjarje ishin gjithashtu ekipe të urgjencës, personel mjekësor dhe një helikopter policie.
Ngjarja nisi rreth orës 14:50, kur një person i armatosur me thikë sulmoi një burrë brenda bankës. Mediat gjermane raportuan se viktima ishte një punonjës i bankës, i cili, pasi u dërgua në spital me plagë të rënda, ndërroi jetë. Policia ka nisur hetimet për vrasje.
Autoritetet bënë me dije se dy persona u evakuuan nga ndërtesa. Fillimisht, nuk ishte e qartë nëse kishte persona të tjerë brenda objektit përveç agresorit. Policia dyshon se ishte një autor i vetëm dhe po heton edhe mundësinë e një grabitjeje.
Përpara arrestimit, ekipet negociatore tentuan të krijonin kontakt me 20-vjeçarin, por pa sukses. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
