**Miftaraj kërkon që moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të bëhet vepër penale**
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka deklaruar se moszbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të cilësohet si vepër penale.
Miftaraj theksoi se një praktikë e tillë do të parandalonte shkeljet e Kushtetutës, duke kujtuar periudhën kur Kuvendi i Kosovës dështonte të konstituohej për shkak të moszgjedhjes së kryeparlamentarit. Ai solli në vëmendje sjelljet e deputetit më të vjetër të asaj legjislature, Avni Dehari, lidhur me mënyrën e mbajtjes së seancave konstituive, duke nënkuptuar anashkalimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Një rast konkret ishte ai i zotit Dehari. A ju kujtohet kur Gjykata Kushtetuese tregonte saktësisht se si duhej vepruar, ndërsa zoti Dehari gjente mënyra për të anashkaluar edhe rendin e ditës të përgatitur nga Sekretariati, për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, shpjegoi Miftaraj.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese kishte specifikuar qartë se konstituimi i Kuvendit bëhet vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe të gjithë nënkryetarëve. Miftaraj shtoi se nëse Kuvendi i Kosovës shkel këtë aktgjykim duke deklaruar se konstituimi kryhet vetëm me zgjedhjen e kryetarit, kjo përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës.
Këto deklarata, Miftaraj i bëri gjatë një interviste në emisionin “DPT Te Fidani” në Klan Kosova.
