Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt-rregulloren për zhvillimin e procedurave të rekrutimit të zjarrfikësve. Kjo masë synon të standardizojë procesin e përzgjedhjes dhe të forcojë kapacitetet profesionale të njësive të zjarrfikjes dhe shpëtimit në vend, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri Albin Kurti theksoi se projekt-rregullorja është në përputhje me prioritetet e Planit Kombëtar për Zhvillim 2026-2028.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shpjegoi se projekt-rregullorja është hartuar në kuadër të planit të akteve nënligjore për vitin 2026 dhe synon krijimin e një sistemi të unifikuar e transparent të rekrutimit të zjarrfikësve.

Sveçla theksoi rëndësinë jetike të shërbimit të zjarrfikjes dhe shpëtimit si një komponent kyç i sigurisë publike dhe menaxhimit të emergjencave. Ai shtoi se efikasiteti i këtij shërbimi varet drejtpërdrejt nga stafi profesional, i trajnuar dhe i përgatitur.

Me këtë rregullore, sipas Sveçlës, synohet krijimi i një sistemi rekrutimi të unifikuar, transparent dhe të bazuar në meritë, duke përcaktuar procedurat, kriteret standarde dhe përgjegjësitë institucionale. Qëllimi është të sigurohet një proces rekrutimi në përputhje me parimet e ligjshmërisë, profesionalizmit, transparencës dhe mundësive të barabarta, për të zgjedhur kandidatët më të përgatitur për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit.

Ministri vuri në dukje se afërsia e sezonit të verës, kur rreziku nga zjarret rritet ndjeshëm, e bën edhe më të domosdoshme shtimin dhe fuqizimin e kapaciteteve njerëzore në shërbimin e zjarrfikjes dhe shpëtimit.