Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë në detyrë, ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka bërë të ditur se janë marrë dy vendime të rëndësishme në fushën e përgjegjësisë së kësaj ministrie, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se vendimi i parë lidhet me miratimin e nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për përfshirjen e Kosovës në zonën “EU Roam Like at Home”.
“Sot në mbledhjen e Qeverisë morëm dy vendime të rëndësishme që janë në fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike.Vendimi i parë ka të bëjë me miratimin e nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për përfshirjen e Kosovës në zonën “EU Roam Like at Home”.
Vendimi i sotëm hap rrugë për zhvillimin e negociatave dhe arritjen e marrëveshjes me Bashkimin Evropian. Kjo nismë vjen në bazën e vendimit të muajit të kaluar të Këshillit të Bashkimit Evropian për të autorizuar hapjen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor për integrimin në zonën “EU Roam Like at Home”, e cila do të rezultojë me heqjen e tarifave të roaming-ut mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.
Kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës që udhëtojnë në vendet e BE-së për punë, studime, turizëm apo vizita familjare, të komunikojnë pa kosto shtesë roaming-u — njësoj siç qytetarët e Bashkimit Evropian. Bizneset kosovare do të kenë kushte më konkurruese për zhvillimin e aktiviteteve të tyre në tregun evropian, duke iu ulur kështu kostot operative dhe duke lehtësuar bashkëpunimin ndërkombëtar.
Nga kjo do të përfitojë edhe diaspora jonë, e cila gjatë vizitave në Kosovë do të mund të përdorë shërbimet e telefonisë mobile pa tarifa shtesë të roaming-ut.
Kosova është e gatshme dhe e përkushtuar për ta avancuar këtë proces sa më shpejt dhe tashmë kanë filluar përgatitjet për përmbushjen e kërkesave që lidhen me zbatimin e rregullativës së BE-së për roaming.
Projektligji i ri për komunikimet elektronike, i cili transpozon Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike dhe me këtë krijon bazën për zbatimin e rregullave të BE-së për roaming-un, tashmë është hartuar dhe së shpejti do t’i nënshtrohet konsultimit publik. Paralelisht, ARKEP-i ka nisur përgatitjet në legjislacionin sekondar të nevojshëm për zbatimin e plotë të kësaj kornize. Zgjerimi i zonës “EU Roam Like at Home” në Kosovë dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është një shembull konkret se si integrimi gradual në tregun e vetëm digjital evropian mund të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët tanë edhe para anëtarësimit”, tha ai.
Ministri Jagxhiu foli edhe për vendimin e dytë të marrë nga Qeveria, që ka të bëjë me miratimin e kornizës për ngritjen e kapaciteteve digjitale në administratën publike.
“Vendimi i dytë që u mor në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka të bëjë me miratimin e kornizës për ngritjen e kapaciteteve digjitale në qeverinë e Kosovës. Zhvillimi i shërbimeve digjitale publike, përdorimi më i mirë i të dhënave dhe teknologjisë, si dhe mbrojtja e sistemeve dhe informacioneve kërkojnë kapacitete të përshtatshme njerëzore në të gjitha nivelet e administratës publike. Deri më tani, zhvillimi i aftësive digjitale nuk ka pasur gjithmonë një pikënisje dhe një orientim të përbashkët institucional.
Korniza e miratuar sot e adreson pikërisht këtë nevojë. Kjo kornizë përcakton një model të unifikuar për zhvillimin e aftësive digjitale, thelbësore e të nevojshme për qeverisje efektive, ofrim cilësor të shërbimeve dhe inovacion. Ajo ofron bazën që nevojat për kapacitete të identifikohen në mënyrë më sistematike, që zhvillimi profesional të planifikohet sipas roleve dhe përgjegjësive, dhe që institucionet të përdorin një orientim të përbashkët gjatë zhvillimit të stafit të tyre.
Korniza synon që transformimi digjital të kuptohet si ndryshim institucional dhe profesional, e jo vetëm si investim në teknologji e sisteme. Në këtë mënyrë, ajo ndihmon në forcimin e kulturës së shërbimit ndaj qytetarëve, bashkëpunimit ndërinstitucional, përdorimit të sigurt dhe të përgjegjshëm të teknologjisë, si dhe aftësisë së administratës për t’u përshtatur zhvillimeve të reja”, tha Jagxhiu.

