**Rita Ora feston rikthimin triumfues në Vjenë, shpërthen në lot për rrënjët e saj nga Kosova**

Sallat e koncerteve në Austri duket se nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për të akomoduar të gjithë fansat e Rita Orës. Ylli i muzikës pop me origjinë shqiptare ka performuar shpesh në ambiente të hapura, si në festivalin “Donauinselfest” në Ischgl apo në garën Hahnenkamm në Kitzbühel, raporton albinfo.at.

Të enjten në mbrëmje, këngëtarja u rikthye në Vjenë pas një mungese 12-vjeçare, për të elektrizuar skenën e festivalit “Donauinsel Open Air”. Për rreth 70 minuta, Rita Ora ofroi një performancë të jashtëzakonshme, duke kënduar hitet e saj para mijëra fansave të mbledhur dhe duke dominuar skenën me energji dhe karizëm, si një divë e vërtetë ndërkombëtare.

**Rita shpërthen në lot teksa kujton rrënjët e saj**

Gjatë tërë performancës, ylli botëror kërceu dhe këndoi me pasion, ndërsa publiku i magjepsur ndiqte çdo lëvizje të saj. Përveç kësaj, Rita nuk ngurroi të komunikonte me fansat, duke pyetur: “A jeni gati ta kalojmë këtë mbrëmje së bashku?” dhe duke falënderuar bashkëpunëtorët e organizatorët për ftesën.

“Faleminderit që më ftuat këtu, Vjenë! Një vend shumë, shumë i bukur! Kam kohë që nuk kam qenë këtu,” tha ajo, përcjell albinfo.at.

Një nga momentet më emocionuese erdhi pak më vonë. Ndërsa këndonte një pjesë të shkurtër të këngës “Believe” të Cher, Rita dha një mesazh të fuqishëm, duke shpërthyer në lot: “Ju e dini se unë vij nga një vend që ka përjetuar luftën. Shpeshherë nuk është e lehtë t’i realizojmë ëndrrat tona, por duhet të besojmë në to. Falë publikut dhe juve fansa, kjo ëndërr m’u bë realitet,” tha ajo, duke iu referuar rrënjëve të saj nga Kosova.

Ajo u shoqërua nga tre këngëtarë mbështetës, një baterist dhe një kitarist. Për paraqitjen skenike, Rita nuk kishte nevojë për balerina shoqëruese, pasi prania e saj mjaftonte për ta transformuar skenën e “Donauinsel Open Air” në një festë të madhe, të mbushur me ritëm, pavarësisht motit të freskët. Nuk mungoi as bashkëshorti i Ritës, regjisori i famshëm Taika Waititi, i cili gjatë gjithë performancës u pa duke filmuar koncertin e saj.

Si përfundim, Rita Ora festoi një rikthim tërësisht të suksesshëm në Vjenë. Në këtë paraqitje, ajo përfshiu gjithçka që e ka bërë atë një yll ndërkombëtar të muzikës: hite të shumta, një zë të fuqishëm, emocione të sinqerta dhe entuziazëm të pafund./Albinfo.ch/