Profesori universitar dhe eksperti i bujqësisë, Imer Rusinovci, ka vlerësuar se Kosova karakterizohet nga pamjaftueshmëria e prodhimit vendor, ndërsa importi i produkteve bujqësore ka arritur në nivel marramendës, duke kaluar një miliard euro.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Rusinovci ka thënë se është e pajustifikueshme që Kosova të importojë produkte të cilat mund të kultivohen në vend, duke theksuar nevojën për politika më të orientuara drejt rritjes së prodhimit vendor.
“E para, mendoj edhe besoj që ne karakterizohemi me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor. Për pasojë kjo ngërthen domethënë një seri të faktorëve dhe para se gjithash import marramendës, që për kulturën strategjike që korrespondojnë me konditat tona agroekologjike është e pajustifikueshme. Shikoni, shumë njerëz kur flasin nuk kanë përgjegjësi për fjalën publike që e thonë. Kosova nuk përkon me kushte klimatike që të kultivojmë oriz, agrume, bimë mediterane, kafe e të tjera të ngjashme. Ato duhet të importohen. Por të importohen produktet që përkojnë me kushtet tona agroekologjike është e pajustifikueshme”, tha ai.
Rusinovci ka vlerësuar masat stimuluese për bujqësinë, por ka kërkuar që subvencionet, grantet dhe format e tjera të mbështetjes të orientohen drejt rritjes së prodhimit dhe të mos keqpërdoren.
“Në këtë konotacion, masat stimuluese që kanë filluar të zbatohen në Kosovë janë për t’u përshëndetur. Është politika e përbashkët e Unionit Evropian që çuhen të ashtuquajturat CAP ose politikat e përbashkëta bujqësore për nivelin e komunitetit të EU-së, ngjashëm edhe në Kosovë stimulohen, por masat stimuluese, mund të jenë ato subvencione, mund të jenë regrese, mund të jenë grante zhvillimore, mund të jenë premi e të tjera e të tjera për produkte të caktuara, duhet të jetësohen, jo të keqpërdoren, sepse nëse i shikojmë statistikën e vitit të kaluar, prodhimet bujqësore kanë pasur një import marramendës që e kalon miliardin, përfshirë vajin, sheqerin, duhanin, të gjitha këto janë prodhime bujqësore”, tha ai.
Ai ka përmendur importin e qumështit dhe mishit si dy prej kategorive me vlera të larta, ndërsa ka theksuar potencialin që ka Kosova për zhvillimin e prodhimit vendor të kulturave industriale.
“Domethënë ne patëm një import të qumështit vitin e kaluar rreth 120 milionë euro, të mishit dhe nënprodukteve të mishit 150 milionë euro, të drithërave, të vajit, të sheqerit, të duhanit, sidomos produktet këto që paraprakisht në Kosovë janë kultivuar bimët industriale në një sipërfaqe prej 30 mijë hektarëve, luledielli, kolza, panxhar sheqeri, duhani e të tjera e të tjera, që inkorporojnë në punë shumë forcë pune, domethënë do ta stopojë shumë edhe emigracionin e madh të rinisë që e kanë mësymjen drejt vendeve perëndimore dhe do të zgjidhshim shumë probleme teknike, organizative, shkallë të madhe të papunësisë e të tjera e të tjera”, tha ai.
Sipas tij, vetëm zhvillimi i prodhimit vendor të vajit, sheqerit dhe duhanit do të mundësonte punësimin e rreth 100 mijë personave.
“Dhe vetëm në këto tri artikuj nëse e marrim domethënë në bujqësi vajin, sheqerin dhe duhanin, do të punësoheshin diku rreth 100 mijë njerëz, sepse është një standard ndërkombëtar që në një hektar duhan punëson 3.5 deri në 4.2 punëtorë. Dhe me 10 mijë hektarë duhan të mbjellë në Kosovë që ka qenë traditë, qoftë Anamorava, qoftë pjesa e Dukagjinit, e në veçanti Gjakova kohën e fundit me duhanin, punësohen shumë njerëz dhe finalizohen. Çdo prodhim në bujqësi nëse nuk finalizohet në njëfarë forme nuk e kemi dhënë provimin tonë as profesional as kombëtar. Pra importi është marramendës, është i madh dhe kjo duhet të insistohet, duhet të kemi një pikësynim, duhet ta kemi një target që ta reduktojmë, që ta kemi më të ulët dhe që të kemi produktivitet më të lartë të punës për njësi sipërfaqësore”, tha ai.
Ndërkaq, duke folur për grumbullimin e grurit, profesori Rusinovci e ka cilësuar të pajustifikueshme çmimin e dorëzimit të këtij produkti, duke kërkuar rishikim të politikave bujqësore.
“Rasti i fundit është domethënë me grumbullimin e drithërave nëpër industritë e bluarjes. Kjo fjalë është e pajustifikueshme që vitin e kaluar ka qenë mesatarja e dorëzimit të grurit 19 cent, sivjet është 18 cent, përkundër që ne, domethënë fermerët kanë pasur kosto shumë të lartë të prodhimtarisë edhe të inputeve në përgjithsi edhe të naftës në veçanti. Domethënë këtu politika bujqësore duhet të rishikohen e ndoshta të motivohet më shumë fermeri për produktivitetin e punës që realizon për njësi sipërfaqësore”, tha ai.
Rusinovci ka theksuar se sigurimi i ushqimit duhet të trajtohet si çështje strategjike, ndërsa fermerët që arrijnë produktivitet më të lartë duhet të kenë mbështetje më të madhe.
“Tani si masa stimuluese këto thashë janë për t’u përshëndetur sepse do mbështetje prodhimi vendor, sigurimi i ushqimit është çështje kruciale, është çështje shumë fundamentale. Ne nuk mund të karakterizohemi mme përfitime të mëdha ekonomike, me kororzime të larta financiare pozitive siç janë me perimet, por që ushqimi siç është fjala gruri, misri e të tjera duhet të mbështeten dukshëm dhe duhet të dallohen nga kultura të tjera. Por ndoshta ish dashtë të llogariten prioritetet ndër prioritete siç vlen për prodhimet strategjike. Unë mendoj se produktiviteti i punës duhet të subvencionohet, duhet të mbështetet pak më shumë në raport me gjendjen aktuale sepse gjithmonë duhet të mbështetet fermeri që prodhon shumë dhe asnjëherë nuk kemi dëm prej fermerëve të mëdhenj që ne i quajmë komercial dhe kjo është pikësynimi kryesor i të gjitha vendeve që kanë trend të lartë të zhvillimit ekonomik. Ne nuk mund të krahasohemi me vende të tilla, por të paktën të marrim modalitet nga vendet e rajonit”, tha ai.

