Detaje të reja kanë dalë në dritë për të dyshuarin 21-vjeçar gjerman, i identifikuar si Abdul B., i cili ishte liruar nga paraburgimi për të mitur vetëm dy muaj para sulmit në Berlin.

Sipas burimeve të sigurisë, të cituara nga Reuters, ai ishte dënuar fillimisht me 1 vit e 10 muaj burg. Megjithatë, pas një ankese ligjore, dënimi iu zëvendësua me një masë jo me burg, shkruan Sky News.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, deklaroi se Abdul B. kishte kërkuar kontakte me grupin militant të vetëshpallur Shteti Islamik (ISIS).

Ai ishte gjithashtu i njohur për shërbimet e inteligjencës së brendshme dhe ishte përfshirë në listën e personave që konsiderohen potencialisht të rrezikshëm, status që zakonisht shoqërohet me mbikëqyrje të vazhdueshme nga autoritetet.

Dobrindt bëri të ditur se 21-vjeçari është shtetas gjerman me origjinë libaneze. Ai ka lindur në Gjermani në vitin 2005, ndërsa nëna e tij kishte marrë shtetësinë gjermane në vitin 2002.

Sipas ministrit, i dyshuari kishte tërhequr vëmendjen e autoriteteve për shkak të një numri të madh veprash penale, procesit të radikalizimit dhe lidhjeve me qarqe islamiste.