**Dieta Mesdhetare Shpallet Për të Tretin Vit Radhazi Dieta Më e Shëndetshme në Botë**
Për të tretin vit radhazi, dieta mesdhetare është shpallur si më e mira në botë nga ‘US News & World Report’, sipas ekspertëve. Ky model ushqimor, i pasur me yndyrna të shëndetshme, peshk, drithëra integrale dhe i kufizuar në ushqime të përpunuara e mish të kuq, vlerësohet si zgjedhja optimale për shëndetin.
Dieta mesdhetare tejkaloi shumë regjime të tjera të njohura, si dieta keto apo vegane, duke u vlerësuar gjithashtu si më e lehta për t’u ndjekur.
E prezantuar fillimisht në vitin 1993 bashkë me piramidën e saj ushqimore, dieta mesdhetare nuk ka një listë fikse produktesh. Ajo përshtatet nga çdo rajon i Mesdheut në përputhje me traditat lokale gastronomike.
Elementi i përbashkët i rajoneve mesdhetare, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, është shumëllojshmëria e ushqimeve thelbësore: perime, fruta, fara, drithëra integrale, vaj ulliri, kos, djathë, peshk, vezë dhe verë.
Sekreti i këtij stili ushqimor qëndron në freskinë dhe cilësinë e ushqimeve; ato duhet të jenë organike dhe sezonale. Dieta mesdhetare lejon konsumin e mishit dhe ëmbëlsirave në sasi të kufizuar, duke theksuar rëndësinë e aktivitetit fizik të rregullt.
Vaji i ullirit ekstra i virgjër përbën një tjetër shtyllë të kësaj diete, falë përqindjes së ulët të yndyrave të ngopura në krahasim me vajin e zakonshëm të ullirit.
Përfitimet shëndetësore të dietës mesdhetare janë të shumta: ajo forcon shëndetin kardiovaskular, mbron organizmin nga kanceri, parandalon mbipeshën dhe diabetin, dhe konsiderohet më efikase se dieta vegane.
Më shumë se një dietë e mirëfilltë, ky është një stil jetese. Më poshtë ofrojmë një udhëzues të thjeshtë për ta integruar:
* Konsumoni çdo ditë fruta dhe perime sezonale.
* Përfshini çdo ditë drithëra integrale (grurë, misër, oriz, tërshërë, elb), bishtajore si fasule, thjerrëza e qiqra.
* Konsumoni peshk dhe prodhime deti dy ose tre herë në javë.
* Integrohuni në dietën tuaj arra, bajame, susam, fara kungulli dhe erëza të ndryshme si rigoni, rozmarina, trumza.
* Mishin e kuq dhe ëmbëlsirat konsumojini në sasi të kufizuara.
* Përdorni vaj ulliri, mundësisht ekstra të virgjër.
* Konsumoni me moderim verë të kuqe dhe çajra bimorë.
* Kombinojeni me aktivitet fizik të rregullt.
