Java nis me reshje, përfundon me temperatura deri në 38 gradë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë publik parashikimin e motit për periudhën 27–31 korrik 2026. Sipas njoftimit, java do të nisë me kushte të paqëndrueshme në disa zona, ndërsa nga mesi i saj pritet rritje graduale e temperaturave dhe mot kryesisht i kthjellët.

Dita e hënë do të karakterizohet me diell dhe vranësira lokale, të cilat gjatë ditës mund të sjellin reshje shiu, vetëtima dhe, në disa zona të izoluara, edhe breshër. Temperaturat minimale do të luhaten nga 13 deri në 15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë 26 deri në 30 gradë.

Të martën, moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira kalimtare, me mundësi për reshje të izoluara, kryesisht në zonat malore. Temperaturat maksimale parashikohet të shënojnë deri në 32 gradë Celsius.

Nga e mërkura pritet stabilizim i motit, me kthjellime dhe diell, si dhe rritje graduale të temperaturave. Ndërkaq, të enjten dhe të premten Kosova do të përfshihet nga një valë të nxehti, ku temperaturat maksimale do të arrijnë nga 36 deri në 38 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.

IHMK thekson se, për shkak të temperaturave të larta, pritet ngarkesë e shtuar termike, veçanërisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites. Qytetarëve u rekomandohet të shmangin qëndrimin e gjatë në diell, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Gjithashtu, indeksi UV do të jetë i lartë deri shumë i lartë gjatë ditëve me mot të kthjellët, ndaj këshillohet përdorimi i kremrave mbrojtës dhe shmangia e ekspozimit në diell nga ora 11:00 deri në 16:00.