Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar për rënie gurësh dhe inerte në disa segmente rrugore në veri të vendit, pas reshjeve intensive të orëve të fundit.
Sipas njoftimit të ARRSH-së, reshje të dendura shiu dhe rrebeshe kanë prekur veçanërisht zonat veriore, duke shkaktuar rënie gurësh dhe materialesh të tjera në sipërfaqen e rrugës. Kjo situatë është konstatuar në akset: Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë, Qafë Mejdan-Tropojë-Buçaj, Bajram Curri-Fierzë dhe Dushaj-Lekbibaj. Megjithatë, në këto segmente nuk ka pasur probleme në qarkullim.
Ndërkaq, aksi rrugor Qafë Thorë-Theth u bllokua përkohësisht si pasojë e reshjeve. Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri me dije se pas ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve, segmenti u pastrua plotësisht dhe u hap për të gjitha mjetet, duke rikthyer qarkullimin në normalitet.
