**Shofer shqiptar arrestohet në Gjermani me adoleshentë emigrantë, njëri në bagazh**

**Mittenwald, Gjermani** – Policia Federale Gjermane ka arrestuar të dielën në mbrëmje një shofer shqiptar, i dyshuar për kontrabandë qeniesh njerëzore. Ngjarja ndodhi në autostradën B2 pranë Mittenwald, ku shoferi po transportonte pesë adoleshentë kolumbianë pa dokumentacionin e nevojshëm për hyrje në Gjermani. Më i riu prej tyre, një 15-vjeçar, udhëtonte në bagazhin e makinës.

Gjatë kontrollit kufitar, shoferi, i cili drejtonte një makinë me targa gjermane, u paraqiti oficerëve një leje qëndrimi dhe një patentë shoferi gjermane. Mirëpo, brenda mjetit, oficerët vunë re praninë e adoleshentit në bagazh.

Sipas deklaratës së shoferit, ai ishte i vetëdijshëm për rreziqet e transportimit të tyre, por pretendon se nuk kishte më vend në makinë. Ai shtoi se 15-vjeçari ishte futur në bagazh vullnetarisht.

Të pesë adoleshentët kolumbianë nuk posedonin pasaporta apo dokumente identifikimi. Megjithatë, Policia Federale bëri të ditur se ata ishin regjistruar më parë në Gjermani. Autoriteti përgjegjës i imigracionit pritet të marrë vendimin për statusin e tyre.

Shoferi shqiptar, i cili u ndalua fillimisht, u lirua nga stacioni i policisë të hënën në mëngjes. Ai është i regjistruar dhe banon në Saksoninë e Poshtme. Pavarësisht lirimit, ai pritet të përballet me ndjekje penale për akuzën e kontrabandës së qenieve njerëzore.