Kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë, Kreshnik Smajlaj, ka shprehur keqardhjen e thellë lidhur me tragjedinë e djeshme ku humbi jetën një punëtor në Prishtinë dhe ka kritikuar ashpër përdorimin e kësaj situate për përplasje politike.

Smajlaj theksoi se siguria në punë, në vend që të shërbejë si moment reflektimi dhe uniteti, po shfrytëzohet si arenë për akuza, kundërakuza dhe grindje ndërmjet niveleve të pushtetit. Ai e konsideroi të dhimbshme faktin se edhe tragjedi të tilla janë bërë objekt i luftës politike në Kosovë.

Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së të riut që humbi jetën tragjikisht në vendpunishten e Prishtinës dhe duke i uruar shërim të shpejtë punëtorit të lënduar, Smajlaj apeloi për veprim të menjëhershëm. Ai theksoi se nuk është koha për të treguar me gisht, por për institucionet lokale dhe qendrore që të ulen në një tryezë të përbashkët me ekspertët e fushës.

Sipas Smajlajt, duhet punuar me urgjencë, me qasje konstruktive dhe profesionale, për të hartuar dhe zbatuar mekanizma konkretë që parandalojnë përsëritjen e rasteve të rënda. Ai kërkoi që siguria në punë dhe mbrojtja e jetës së qytetarëve, si në Prishtinë ashtu edhe në gjithë Kosovën, të shndërrohen në një prioritet të panegociueshëm kombëtar.

“Duhet t’i lëmë anash ndasitë partiake dhe të bashkohemi rreth një qëllimi: krijimit të një mjedisi të sigurt ku prindi, djali apo vajza nisen për punë dhe kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi. Siguria e punëtorëve dhe e qytetarëve tanë duhet të jetë prioritet mbi çdo interes tjetër,” përfundoi Smajlaj në reagimin e tij.

Reagimi i Kreshnik Smajlajt u publikua fillimisht nga Indeksonline.