Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Alban Krasniqit, anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe bashkëshortit të ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Kjo vjen pasi Krasniqi e kishte quajtur Ramën “vrasës”.

Në reagimin e tij publik, Rama theksoi se “gjuha e urrejtjes dhe linçimit nuk e ndryshon ligjin”. Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për përdorimin e një diskursi të tillë politik, lidhur me rastin tragjik të vdekjes së 26-vjeçarit në Prishtinë.

Rama sqaroi se po bëhen përpjekje për t’i ngarkuar Kryeqytetit përgjegjësi që, sipas ligjit, u takojnë institucioneve të nivelit qendror, duke shfaqur mosnjohje të kompetencave institucionale. Ai shtoi se verifikimi teknik i vinçave, inspektimi i pajisjeve dhe mbikëqyrja e masave të sigurisë në punë janë kompetencë ekskluzive e Inspektoratit Qendror të Punës. Ndërkohë, Inspektorati i Kryeqytetit ka kompetenca vetëm në zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit dhe legjislacionit përkatës.

“Çdo përpjekje për t’ia faturuar Kryeqytetit dhe mua përgjegjësitë që ligji ua ngarkon institucioneve të nivelit qendror tregon se, përveç dashakeqësisë, jeni edhe të padijshëm!”, shkroi Rama.

Kreu i Prishtinës bëri të ditur se Inspektorati i Kryeqytetit do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Qendror të Punës dhe institucionet e tjera për zbardhjen e plotë të rastit.

Ai gjithashtu konfirmoi se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Alban Krasniqit. “Alban Krasniqi do të paditet për shpifje”, deklaroi Rama.

Në përfundim të reagimit të tij, kryetari i Prishtinës kritikoi ashpër qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar për mungesë të investimeve kapitale, intimidim të kundërshtarëve politikë dhe përkeqësim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Rama e përmbylli reagimin e tij me fjalët: “Po e ripërsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi”.