Erblin Ademi, ka reaguar pas gjetjes së mbetjeve mortore në Zubin Potok, ku ishte zhdukur edhe babai i tij Adem Ademi, prej 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka thënë se ka zgjedhur të mos flas publikisht, por sot ka ndjenja të përziera.
Ademi ka shkruar në Facebook se nga njëra anë ndjen dhimbje të madhe që pas 28 vitesh po përballen sërish me realitetin e hidhur të babait të tyre, por tha se pas 27 vitesh po afrohen drejt së vërtetës. /Gazeta Express
Postimi i plotë:
Për 27 vite kam zgjedhur të mos flas publikisht për rastin e babait tim dhe të grupit prej 23 personave të zhdukur, të njohur si grupi i intelektualëve. Zhvillimet dhe lajmet e fundit më kanë shtyrë ta thyej këtë heshtje.
Sot është një ditë me ndjenja të përziera për mua dhe familjen tonë. Nga njëra anë ndjejmë dhimbje të madhe, sepse pas 27 vitesh po përballemi sërish me realitetin e hidhur se babai ynë, së bashku me 22 persona të tjerë, u vranë dhe u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Edhe pse me kalimin e viteve e kemi ditur se shpresat për ta gjetur gjallë ishin pothuajse të pamundura, njeriu gjithmonë mban në zemër një grimë shprese derisa të mësohet e vërteta.
Babai im ishte kirurg, një mjek i njohur dhe shumë i respektuar, i cili ia kushtoi jetën shpëtimit të njerëzve. Përveç kontributit të jashtëzakonshëm në mjekësi, gjatë luftës ai ndihmoi në trajtimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qëndruar pranë atyre që kishin më shumë nevojë. Humbja e tij ishte një plagë jo vetëm për familjen tonë, por edhe për shoqërinë.
Gjatë gjithë kësaj kohe kemi jetuar me pritje, ankth dhe pyetje pa përgjigje. Kemi pritur që e vërteta të zbardhej dhe të mësonim se ku ishin fshehur trupat e tyre. Të jetosh për gati tri dekada pa e ditur ku prehet njeriu yt më i dashur është një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë.
Që nga paslufta kemi pasur informacione se ky grup ishte vrarë në atë zonë. Pas arrestimit të personave që dyshohen se kanë marrë pjesë në këtë krim dhe fillimit të gërmimeve, duket se më në fund po afrohemi drejt zbardhjes së së vërtetës. Megjithatë, presim që të respektohen të gjitha procedurat institucionale dhe të mjekësisë ligjore, duke u bërë identifikimi zyrtar i mbetjeve mortore me profesionalizëm dhe dinjitet.
Kjo ishte një masakër dhe një krim i rëndë. Përveç vrasjes së 23 njerëzve të pafajshëm, familjet e tyre kanë përjetuar gjatë gjithë këtyre viteve një dhunë të vazhdueshme psikologjike, duke jetuar pa përgjigje dhe pa një vend ku të vendosin një lule për më të dashurit e tyre.
Sot ndjejmë një lloj lehtësimi, jo sepse dhimbja ka kaluar, por sepse më në fund mund t’i japim fund pasigurisë. Të dish ku pushon njeriu yt dhe ta nderosh me dinjitet është një e drejtë themelore njerëzore që neve na është mohuar për gati tri dekada.
Megjithatë, ky është vetëm fundi i një kapitulli. Pasiguria mund të marrë fund, por dhimbja mbetet përgjithmonë. Po aq e rëndësishme sa zbardhja e së vërtetës është edhe vendosja e drejtësisë. Ne jemi këmbëngulës që të gjithë autorët e këtij krimi, të gjithë ata që urdhëruan, morën pjesë, fshehën këtë masakër apo mbrojtën përgjegjësit, si dhe të gjithë kriminelët dhe gjakatarët e njerëzve të pafajshëm, të përballen me drejtësinë dhe të marrin dënimin e merituar. Vetëm atëherë mund të themi se është hedhur një hap i plotë drejt drejtësisë, sepse pa drejtësi nuk ka paqe të vërtetë.
Sot nuk flas vetëm në emër të familjes sime, por edhe në emër të të gjitha familjeve që prej 27 vitesh kanë jetuar me të njëjtën dhimbje. Shpresoj që kjo të jetë një shpresë edhe për familjet e tjera që ende kërkojnë më të dashurit e tyre, që edhe ato një ditë ta mësojnë të vërtetën dhe t’u japin nderimin që meritojnë.
Babai im nuk do të kujtohet vetëm për mënyrën se si u nda nga jeta, por mbi të gjitha për mënyrën se si jetoi. Ai ishte një njeri që shpëtonte jetë, një mjek i përkushtuar dhe një baba i dashur. Kjo është trashëgimia që na ka lënë dhe arsyeja pse do ta kujtojmë gjithmonë me krenari.
