Presidentja në largim, Vjosa Osmani, pritet t’i dorëzojë sot detyrën Albulena Haxhiut.

Presidentja në largim e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që sot, në orën 16:00, t’i dorëzojë zyrtarisht detyrën Albulena Haxhiut, e cila, në cilësinë e kryetares së Kuvendit, do të ushtrojë postin e u.d. presidentes.

Njoftimi është bërë publik nga Zyra e Presidentes, përmes një komunikate për media.

Sipas komunikatës, ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes.

Vjosa Osmani e mori postin e Presidentes së Kosovës në prill të vitit 2021, me përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo nuk arriti të sigurojë një mandat të dytë, pavarësisht se kishte shprehur publikisht dëshirën për ta vazhduar atë.