**Dy filma kosovarë në garë për Oscar: “Dua” dhe “Shame and Money” në edicionin e 99-të**

Kosova do të përfaqësohet në edicionin e 99-të të Academy Awards me filmin “Dua”, me regji të Blerta Bashollit. Ky film është përzgjedhur nga Komiteti Përzgjedhës i Qendrës Kinematografike të Kosovës si propozimi zyrtar i vendit në kategorinë “International Feature Film”.

Vendimi u mor nga komiteti i përbërë nga Kaltrina Krasniqi (kryesuese), Antoneta Kastrati, Ilir Hasanaj, Tristan Halilaj dhe Vullnet Sanaja. Në arsyetimin e tij, komiteti vlerësoi interpretimin e aktores Pinea Matoshi, duke theksuar se personazhi i Duas ofron një performancë autentike, bindëse dhe emocionalisht të fuqishme. Gjithashtu, u vlerësua vizioni artistik i regjisores Blerta Basholli, e cila ndërton një rrëfim të ndjerë që trajton me sinqeritet një periudhë të rëndësishme të historisë së Kosovës.

Ky vit shënon një moment historik për kinematografinë kosovare, pasi për herë të parë Kosova do të ketë dy filma në garën e çmimeve Oscar.

Përveç “Dua”, në garë është kualifikuar drejtpërdrejt edhe filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, pas fitores së çmimit prestigjioz “Grand Jury Prize” në Sundance Film Festival.