Si të qetësoni ndjesinë e djegies nga ushqimet pikante

Përballja me ndjesinë e djegies në gojë pas konsumimit të ushqimeve pikante është një përvojë e zakonshme, dhe mënyra e reagimit mund ta përmirësojë ose përkeqësojë situatën.

Ndryshe nga instinkti i zakonshëm, ekspertët theksojnë se pirja e ujit të ftohtë nuk është zgjidhja më e mirë. Uji mund ta përhapë më tej kapsaicinën – substancën përgjegjëse për ndjesinë e djegies te specat pikantë – duke e bërë djegien edhe më të fortë.

Në vend të ujit, rekomandohen produktet e bulmetit si qumështi dhe kosi. Ato përmbajnë kazeinë, një proteinë që ndihmon në shpërbërjen e kapsaicinës dhe zbut ndjesinë e djegies. Produktet me përmbajtje më të lartë yndyre janë veçanërisht efektive.

Një tjetër alternativë është akullorja, e cila kombinon qumështin, yndyrën dhe sheqerin, duke ndihmuar në qetësimin e menjëhershëm të gojës.

Edhe sheqeri ose mjalti mund të jenë të dobishëm. Vendosja e një sasie të vogël në gojë për disa sekonda krijon një shtresë mbrojtëse mbi gjuhë dhe ndihmon në uljen e ndjesisë së djegies.

Përsa i përket alkoolit, pijet me përqindje të lartë alkooli mund të shpërbëjnë kapsaicinën. Megjithatë, kjo nuk konsiderohet një mënyrë e rekomanduar për shkak të efekteve anësore që mund të ketë konsumimi i alkoolit.

Nëse konsumoni shpesh ushqime pikante, mbani mend se zgjedhja e duhur e ushqimit ose pijes pas tyre mund t’ju ndihmojë ta kaloni shumë më lehtë ndjesinë e djegies.