Njëqind kadetë të rinj i janë bashkuar sot Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), pas përfundimit të suksesshëm të përgatitjes profesionale. Në ceremoninë e diplomimit, drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, theksoi rëndësinë e bashkëjetesës së sigurisë dhe dinjitetit njerëzor në ushtrimin e detyrës.

Dibrani u bëri thirrje zyrtarëve të rinj që detyrën ta ushtrojnë me profesionalizëm, integritet dhe respekt për dinjitetin njerëzor. Ai vuri në pah rolin e tyre thelbësor jo vetëm në garantimin e sigurisë dhe rendit, por edhe në proceset e rehabilitimit dhe riintegrimit të të burgosurve.

“Për ju, kjo është dita kur një ëndërr, një përpjekje dhe një angazhim i gjatë marrin formë. Por mbi të gjitha, kjo është dita kur ju merrni përsipër një përgjegjësi të madhe. Të jesh zyrtar korrektues nuk do të thotë të veshësh thjesht një uniformë, por të mbash mbi vete besimin që institucionet e Republikës së Kosovës vendosin mbi ju,” tha Dibrani.

Drejtori theksoi se nga sot, kadetët do të jenë përgjegjës për garantimin e sigurisë, rendit dhe disiplinës në institucionet korrektuese. Megjithatë, ai sqaroi se misioni i tyre shkon përtej kësaj, duke përfshirë krijimin e mundësive për rehabilitim, riintegrim dhe ndryshim, me qëllim që çdo person të mund të kthehet në shoqëri si një individ i dobishëm dhe i përgjegjshëm.

Dibrani ritheksoi se profesionalizmi dhe respekti për dinjitetin njerëzor duhet të jenë thelbi i ushtrimit të detyrës. “Siguria dhe respekti për dinjitetin njerëzor nuk janë të kundërta, ato ecin bashkë. Ligji është udhërrëfyesi juaj, profesionalizmi forca juaj, integriteti mbrojtja juaj, dhe respekti për njeriun duhet të jetë gjithmonë pjesë e mënyrës se si ushtroni autoritetin tuaj,” u shpreh ai.

Drejtori Dibrani nuk harroi të falënderonte edhe familjarët e kadetëve, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në rrugëtimin e tyre. “Pas secilit prej këtyre 100 kadetëve qëndron një familje që ka pritur, ka inkurajuar dhe ka besuar. Prandaj, kjo diplomë është edhe dëshmi e mbështetjes suaj,” deklaroi ai, duke i ftuar të jenë krenarë për shërbimin e të dashurve të tyre në një prej institucioneve më të rëndësishme të Kosovës.

Në mbyllje, drejtori Dibrani premtoi se Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë të punojë për të krijuar kushte, përgatitje dhe mbështetje të nevojshme, në mënyrë që zyrtarët e rinj ta ushtrojnë profesionin e tyre me dinjitet.