Kurti i përgjigjet Abdixhikut: Posti i Kryeparlamentarit nuk është pak, LDK duhej të bashkëqeveriste

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, komentoi sot qëndrimin e LDK-së, të shprehur dje, për të mbetur në opozitë. Ai i bëri thirrje partisë që të rishqyrtojë mundësinë e bashkëqeverisjes, duke theksuar se pozicionet kyçe, si ai i Kryetarit të Kuvendit apo zëvendëskryeministrit, nuk janë aspak të parëndësishme.

Kurti, i cili iu referua kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, si “mik” gjatë deklaratës së tij, shprehu keqardhje për vendimin. Ai tha se kishte ndjekur me vëmendje deklaratën dhe qëndrimin publik të Abdixhikut mbrëmë.

“Unë besoj që LDK-ja duhej të vinte në bashkëqeverisje. Ta kishim një marrëveshje politike. Nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve – 53 me 18 – por as deformim i rezultatit nuk mund të jetë. Pra, me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e Kuvendit nuk është pak,” citohet të ketë thënë Kurti.

Kryeministri në detyrë theksoi gjithashtu se edhe nëse Abdixhiku do të kishte pranuar postin e zëvendëskryeministrit në qeveri, kjo nuk do të kishte qenë aspak një pozicion i papërfillshëm.

Qëndrimi i LDK-së për të mbetur në opozitë, i prezantuar dje, mbështetet në argumentin se presidenti i ardhshëm duhet të jetë jopartiak dhe garantues i Kushtetutës dhe Republikës.