Shtetet e Bashkuara po rikthehen te presioni ekonomik ndaj Iranit, pasi përpjekjet ushtarake nuk arritën ta detyrojnë Teheranin të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe bisedimet mes palëve kanë ngecur.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka paralajmëruar se ushtria amerikane ka kapacitetet për ta mbajtur bllokadën detare ndaj Iranit për një periudhë të pacaktuar.
“Shtetet e Bashkuara mund ta mbajnë një bllokadë të tillë pa afat, sepse do të zëvendësojmë anijet luftarake që hyjnë dhe dalin nga rajoni, siç kemi bërë deri tani, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Hegseth.
Presioni ndaj Teheranit është përforcuar edhe nga Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cili ka paralajmëruar masa të reja ekonomike që, sipas tij, do ta izolonin Iranin në një nivel të paprecedentë.
“Prisni njoftime të tjera javën e ardhshme, sepse ne do të vendosim masa të një niveli që nuk është parë kurrë më parë në historinë e izolimit ekonomik të një vendi”, ka thënë Bessent.
Ndërkohë, Irani po përpiqet të rrisë presionin ndaj Washingtonit duke pretenduar se vazhdon ta mbajë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit.
Trafiku përmes kësaj rruge strategjike për transportin global të naftës mbetet shumë i reduktuar, duke shtuar presionin mbi tregjet ndërkombëtare.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar se furnizimet me naftë mund të bien me rreth 4.3 milionë fuçi në ditë gjatë këtij viti.
Tensionet u shtuan edhe më tej të enjten mbrëma, pasi dy anije-cisternë të Abu Dhabit që transportonin naftë u goditën në një incident që autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe e cilësuan si sulm iranian.
