Provimet e pranimit në shkollat zvicerane “nxitin pabarazinë”

Presidenti i Shoqatës Zvicerane të Drejtorëve të Shkollave, Thomas Minder, po kërkon heqjen e provimeve të pranimit në shkollat e mesme.

Në një intervistë për gazetën “SonntagsBlick”, Minder vuri në pikëpyetje nevojën e sistemit të shkollave të mesme me dy drejtime për të testuar aftësitë akademike të nxënësve në një fazë kaq të hershme.

Ai theksoi se: “Ne e dimë nga shkenca se çdo kalim në shkollë përforcon pabarazitë sociale”.

Për këtë arsye, shoqata e drejtorëve të shkollave mendon se nuk duhet të ketë përzgjedhje në fillim të shkollës së mesme. Disa kantone zvicerane tashmë e realizojnë këtë kalim pa provime.

Minder favorizon përzgjedhjen në një fazë më të vonë, drejt fundit të shkollës, si dhe klasat me përbërje të ndryshme (heterogjene) dhe nivele të ndryshme vështirësie.

Ai kritikoi gjithashtu formimin e mësuesve, duke e konsideruar të pamjaftueshëm përballë kërkesave në rritje. Sipas tij, mësuesit duhet të zotërojnë aftësi sociale, emocionale dhe komunikuese, përveç njohurive të specializuara. “Është një mision i pamundur ta arrish këtë në tre vitet e studimit,” deklaroi ai, transmeton albinfo.ch.

Minder bëri thirrje për të paktën katër vite studimi dhe një diplomë Masteri për të gjithë mësuesit. “Politikisht, kjo do të ishte shumë e vështirë për t’u avancuar, pasi kostot do të rriteshin. Por do të jepte fryte në planin afatgjatë,” shtoi ai.

Mungesa e mësuesve, sipas tij, mund të lehtësohej, pavarësisht programeve më të gjata të studimit, duke integruar mësuesit e ardhshëm në veprimtarinë shkollore përpara se të përfundojnë studimet e tyre.