Një muaj paraburgim i është caktuar prindërve të 5-vjecarit nga Komuna e Lipjanit i cili ishte dërguar në QKUK në gjendje kritike shëndetësore dhe psikologjike si pasojë e dyshimeve për neglizhencë dhe keqtrajtim nga prindërit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.K. dhe V.P. për shkak të veprave penale Shkelja e detyrimeve familjare dhe Lëndim i rëndë trupor. Gjyqtarja e procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar, andaj aprovoj kërkesën e PTHP-së, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.K. dhe V.P, ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.