Kryeprokurori i Prizrenit: Ligji, jo prokurori, thyen mitin e fajdexhinjve të paprekshëm

Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka theksuar në një intervistë për “Tempus” se është krijuar një mit rreth paprekshmërisë së personave që merren me fajde. Megjithatë, ai u bën thirrje atyre të kuptojnë se nuk është kryeprokurori apo prokurori ai që i prek, por vetë ligji.

Kryeprokurori Kryeziu shtoi se veprat penale të fajdesë janë trajtuar me prioritet absolut dhe zotohet se asnjë rast nuk do të tolerohet. Ai vuri në dukje se këto vepra janë veçanërisht të shprehura në rajonin e Dukagjinit, e posaçërisht në zonën e Prizrenit, e cila është nën kompetencën e tyre. Kryeziu e krahasoi kompleksitetin e hetimeve të fajdesë me atë të korrupsionit, duke i cilësuar si vepra penale të përbëra.

Sipas tij, veprat e fajdesë jo vetëm që dëmtojnë pasurinë e viktimave dhe familjeve të tyre, por shpesh ndiqen edhe nga vepra penale kundër jetës dhe integritetit trupor. “E dimë që te fajdetë gjithmonë kemi edhe detyrim, kemi kanosje, kemi rrahje të viktimave, kemi rrahje dhe kanosje të familjeve të tyre,” shtoi Kryeziu.

Ai theksoi se vetëm gjatë vitit 2025 janë trajtuar raste të fajdesë që përfshijnë 42 persona, ndërsa një numër i madh rastesh po vazhdojnë edhe gjatë vitit 2026. Kryeprokurori sqaroi se “42 persona” i referohet subjekteve në hetim, pasi disa lëndë, pavarësisht numrit të të përfshirëve, mund të trajtohen si një rast për shkak të ekonomizimit të procedurës.

Kryeprokurori i Prizrenit siguroi se nuk do të ketë as persona individualë e as grupe të paprekshme, duke theksuar se kjo po dëshmohet çdo ditë. “Kjo ka ardhur si rezultat kur kanë parë që ne kemi luftuar rastet më të mëdha, rastet ku kanë krijuar mite që nuk mund të preken. Por, duhet ta dinë që ata nuk i prek as kryeprokurori e as prokurori, por është ligji, është vullneti i ligjit që ne jemi duke e respektuar,” përsëriti Kryeziu.

Gjithashtu, Kryeprokurori shtoi se viktimave të fajdesë u është ofruar mbrojtje dhe siguri për t’i raportuar këto raste.

“Ajo që dua ta bëj të qartë, nuk jemi të interesuar vetëm t’i arrestojmë, t’i gjykojmë, t’i dënojmë, por jemi duke i hetuar edhe në pasurinë e tyre,” theksoi ai. “Asnjë rast i fajdesë nuk guxon të shkojë në gjykatë pa hetim financiar në këtë Prokurori. Aty ku ka bazë, do të zbatohet edhe Ligji për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit. Kemi sekuestruar miliona euro pasuri. Vetëm në një rast të fajdeve, të cilin e kam trajtuar personalisht, kemi sekuestruar 21 banesa dhe tre lokale afariste që kapin vlera milionëshe.”

Kryeziu përfundoi duke theksuar rëndësinë e goditjes financiare: “Kur i prekim në financa, atëherë e dimë që kemi bërë diçka. Atëherë e dimë që ata më nuk do të kthehen të fuqishëm, do ta vuajnë dënimin dhe do të kthehen jo siç kanë qenë të fortë, por të varfër, dhe të tillë do të trajtohen derisa të vendosin të merren me punë të ndershme siç i ka hije çdo qytetari.”