**Haradinaj kritikon Kurtin: Zgjedhja e presidentit s’ishte prioritet, po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja**

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se kjo çështje nuk ka qenë prioritet për qeverinë e tij që nga fillimi i mandatit.

Gjatë emisionit “Debat Plus”, Haradinaj theksoi se zhvillimet e deritanishme tregojnë qartë se kryeministri Kurti nuk e ka trajtuar me seriozitet çështjen e zgjedhjes së kreut të shtetit.

“Nisur nga ajo që ka ndodhur deri më tani,” citohet Haradinaj, “shihet se Kurti nuk e ka konsideruar të rëndësishme zgjedhjen e presidentit. Po të kishte pasur vërtet interes, marrëveshjet politike për këtë pozicion do t’i kishte arritur që në fazën e formimit të qeverisë. Ai do t’i kishte ftuar në koalicion qeverisës palët e interesuara për bashkëqeverisje, duke përfshirë edhe çështjen e presidentit. Mund të them se nuk e shoh të interesuar; ai nuk ka pasur interes të madh për zgjedhjen e kreut të shtetit. Kësisoj, ne po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja.”