Haki Demolli, emri i të cilit ishte përmendur deri pak kohë më parë si kandidat i mundshëm për postin e presidentit, ka reaguar pas shpalljes së Bekim Sejdiut si kandidat konsensual i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Demolli i ka uruar Bekim Sejdiut besimin dhe mbështetjen e nevojshme të Kuvendit të Kosovës për t’u zgjedhur në detyrën e kreut të shtetit.

Përmes një mesazhi, Demolli, si profesor i Fakultetit Juridik, shprehu gëzimin e tij që njëri nga kolegët e rinj po merr përsipër një sfidë kaq të rëndësishme dhe një përgjegjësi të lartë shtetërore. Ai theksoi se gjatë viteve të punës akademike kanë ndarë jo vetëm përvoja dhe njohuri juridike, por edhe përkushtimin ndaj arsimit universitar dhe të ardhmes së shtetit.

Demolli i uroi profesor Sejdiut suksese në këtë rrugëtim dhe, mbi të gjitha, besimin dhe mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen në këtë detyrë thelbësore shtetërore. Ai gjithashtu shprehu urimin që Sejdiu ta udhëheqë Republikën e Kosovës me dinjitet, urtësi, integritet dhe përkushtim, duke i shërbyer interesit të Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.