Ish-ushtari australian Ben Roberts-Smith, i njohur si figura më e dekoruar e ushtrisë së vendit, është arrestuar dhe akuzohet për krime lufte të kryera gjatë misionit të tij në Afganistan.

Roberts-Smith, 47 vjeç, u ndalua në aeroportin e Sidneit. Ai përballet me pesë akuza të rënda, përfshirë vrasje, bashkëpunim në vrasje dhe ndihmë në kryerjen e tyre. Autoritetet pohojnë se viktimat ishin të paarmatosura dhe se disa prej tyre u ekzekutuan me urdhër të tij, sipas raportimeve të BBC-së.

Ky arrestim vjen pas një vendimi civil të vitit 2023, ku një gjykatë federale konstatoi se Roberts-Smith kishte marrë pjesë në disa vrasje, ndonëse ai ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe dashakeqe.

Hetimet lidhur me këtë çështje janë gjithashtu të lidhura me “Raportin Brereton”, i cili në vitin 2020 nxori në pah prova të besueshme për vrasje të paligjshme të kryera nga forcat speciale australiane në Afganistan.

Autoritetet australiane theksojnë se hetimet janë jashtëzakonisht të vështira për shkak të mungesës së aksesit në vendngjarje dhe provave fizike. Ata shtojnë se raste të tilla përbëjnë vetëm një pjesë fare të vogël të ushtrisë.

Ndërkohë, kryeministri Anthony Albanese ka refuzuar të komentojë mbi çështjen, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë së procesit gjyqësor.