Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka deklaruar se në parim do ta votojë kandidatin e nominuar për president, Bekim Sejdiu.

Kica-Xhelili theksoi se Sejdiu operon në fushën e saj profesionale dhe e njeh atë. Ajo shtoi se ai përmbush të gjitha kushtet për pozicionin, por theksoi rëndësinë e një konsensusi politik brenda Grupit Parlamentar të LDK-së përpara votimit.

“E kam të vështirë të gjej arsye për të mos e votuar,” tha Kica-Xhelili, duke shtuar se vota e saj në parim do të jetë pro, nëse arrihet dakordësia e Grupit Parlamentar. Ajo nënvizoi se është e nevojshme një votë unanime për të zgjedhur presidentin dhe se ekzistojnë arsye të forta për të mbështetur këtë kandidaturë.

Lidhur me pyetjen se si do të procedonte LDK-ja në rast të mosrespektimit të vendimit të partisë nga ndonjë deputet, Kica-Xhelili u shpreh se nuk dëshiron të paragjykojë sjellje të tilla në këtë fazë. Ajo theksoi se LDK-ja ka rregullat e saj, por ekziston një organ brenda partisë që diskuton çështjet kur ato shfaqen. “Nuk do të doja të paragjykoja në këtë fazë që dikush do të votojë kundër. Pavarësisht mendimeve të shprehura ndryshe, deri në fund nuk mund ta dimë, pasi edhe një votë e deklaruar pro mund të ndryshojë mendim, sikurse një votë kundër,” përfundoi ajo.